Mërgata dhe artistët, një Temë qenësie dhe lidhje rrënjash me trungun. Jo rrallë jemi mësuar të dëgjojmë se si bashkësi nuk patëm sukseset e dëshiruara, kjo „falë“ ndarjeve në taborë dhe egoizmave jo të pakta, ndërsa në aspektin individual dhamë emra të suksesshëm që na mbajnë në nivelin e arritjeve evropiane. Dhe, një nga dritaret më dritëdhënëse dhe me shikim të kthjelltë është padyshim Arti si pjesë e bukur e kulturës, pikërisht aty janë sukseset nga më të mirat. Është kënaqësi e veçantë të shohësh, dëgjosh, lexosh për arritjet e artbërsve tonë në metropolet e perëndimit, të zbukurohet dita me sukseset e tyre. Emra të shkëlqyer artistësh që kësaj here po ndalem te Arti Pamor, si Kryemjeshtërit Kodra e Gjokaj, pastaj Skulptori i Madh Myrtaj, Piktori Kryeziu, aty me ta hap pas hapi artistët e gjeneratave tjera duke filluar nga Dan Gashi, Valdete Berisha, Gazmend Freitag, … të bëjnë të ndjehesh bukur në lëkurën tënde etnike. Kësaj here qëllimisht dhe me shumë kënaqësi do ndalem te artisti i artit pamor Gazmend Freitag njëemër shumë i nderuar në boten e artit vienez dhe evropian.
Gazmend Freitag, emër ky i vulosur në kuptimësinë artistike, një personalitet shqiptar i integruar mrekullisht në rrethin intelektual-krijues vienez-austriak dhe gjermanofolës e më gjerë, le të jetë kryefjala e ditës e këtij reportazhi të shkurtër. Një piktor, një artist i mirënjohur në artin pamor, pothuajse në të gjitha rrymat dhe stilet e vizatimit-pikturës. Nuk mëtoj të them se jam njohës i mirë i artit pamor, sidoqoftë, si krijues nuk më ikë lehtë bukuria e kombinimit të bukurisë së syrit, mendjes, ngjyrave përmes dorës mjeshtërore me brushë. Po ua dhamë vështrimin e duhur kohor vizatimeve dhe pikturave të Gazmendit, qoftë edhe si vlerësues autodidakt, nuk na shpëton pa u vërejtur mjeshtëria në përzgjedhje ngjyrash me shikim natyral, hija dhe drita në një mishërim të drejt, vendosja e objektit-subjektit në kompozicion në raport të drejt me rrethin, ke portreti një përqendrim i kthjelltë në figurën studimore, përshkrim i bukur tiparesh dhe karakteri … para syrit të piktorit. Artisti e din se çka duhet dhe ia del bukur me veçim të figurës nga rrethi.
Qëllimi im i sotëm nuk është të i bëj një kritikë profesionale artit të Gazmendit, pasi që edhe nuk jam profesionist i kësaj fushe, veçse të bëj një prezantim vlerash të një artisti tonë me emër shumë i nderuar në artin vienez e që emra të tillë do duhej të njiheshin më mirë e më drejt në përdishmërinë shqiptare. Gazmendi është pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar „Aleksandër Moisiu“ në Vienë (tash degë e LKSHM), në secilin hap të tij artistik e potencon me mjeshtri artistike origjinën. Punimet e tij janë në frymën e traditës në mishërim me modernitetin e vlerave evropiane. Artisti i Artit Pamor Gazmend Freitag, tashmë një artist profesionist, po pushton hapësirat e studiove, paneleve, sallave ekspozuese, por sigurisht edhe tregun e vlerave artistike. Jo Gazmendi sall i të premteve me të cilin asocon mbiemri Freitag, veçse i përditshmërisë së bukur artistike. Suksesi i Gazmendit është sukses yni në bashkësinë e vlerave artistike evropiane. Le të jetë ky vetëm një çelës i hapjes së derës informuese në opinionin tonë rreth Gazmendit, faqet e gazetave dhe mediat tjera vieneze, gjermanofolëse e më gjerë, ka kohë që e kanë subjekt shkrimi dhe vlerësimi punën e Gazmendit me ato dhjetëra ekspozita dhe aktivitete të shkëlqyera artistike! Suksesi qoftë përditshmëri e tij, e meriton me punën e tij të shkëlqyer dhe me karakterin e tij si njeri, shqiptar, vienez dhe evropian i zellshëm!
Mentor Thaqi, shkrimtar