Gazmend Freitag u lind, më 25 maj 1968 në Pataqan të Poshtëm të komunës së Rahovecit, më tej regjioni i Prizrenit. Është fëmija i tretë me radhë nga pesë djemtë e Asllan dhe Qamile Mustafës. Që si fëmijë Gazmendi dallohet me prirjen e tij për vizatim. Ai si nxënës krahas vizatimit ishte i përkushtuar edhe ndaj letërsisë.
Në fshatin e tij kreu katër klasët e para të shkollës fillore. Shkollimin e mëtejmë Gazmendi e vazhdoi në Fortesë, në ciklin e lartë të fillores nga klasa e pestë deri në të tetën. Dy vitet e para të gjimnazit i mbaroi në Rahovec kurse klasat e tretë e të katërt në gjimnazin e Prizrenit. Posa përfundoi shkollën e mesme si teknik i punëve administrative, regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Rrjedhat në Kosovën e robëruar, kur edhe mbyllet universiteti e detyron Gazmendin ta braktisë vendlindjen në vitin 1990, duke u vendosur fillimisht në Gjermani.
Nga viti 2004, jeton dhe vepron në Linz, Austri.
Në vitin 2013/14 studime në drejtimin Nudo në Universitetin e Arteve në Linz te profesoresha Annelies Oberdanner.
Punimet e Gazmendit janë me motive të shumta: autobiografike, nga rrethi jetësor, peizazhe nga vendlindja, portrete njerëzish nga më të ndryshmit, kujtime nga fëmijëria në vendlindje, punime nudo, natyrë e qetë etj. Kryesisht teknikë nga grafika me laps, shkumës e tushe, ngjyra vaji në kanavace etj. Të gjitha këto vepra arti shprehin ndjeshmërinë shpirtërore të autorit ambicioz.