Gazmend Freitag, mjeshtri i portreteve

Gazmend Freitag, Linz, 2020. © LINZA Stadtmagazin

Prof. Izri Rexha

Piktori Gazmend Freitag është një mjeshtër profesional i portreteve të cilat në imtësi shumë të vogla përputhen thuajse tërësisht me origjinalin.

Një të diele pasdite vizitova atelienë e piktorit tonë, Gazmend Freitag në Linz. Aty pashë tërë krijimtarinë artistike, kurse më pas u njoha edhe me biografinë e tij. Do të thosha se pikturat e Gazmendit i japin një vend të merituar kulturës së popullit tonë në vendin ku ai jeton. Ne jemi me fat që kemi një piktor si Gazmendin, të cilin shumë politikanë të Austrisë dhe të shteteve përreth e njohin si një punëtor të palodhur dhe profesionist në lëmin e pikturës.

Në një analizë të portreteve të tij, piktorin Gazmend Freitag do të duhej ta cilësojmë si mjeshtër profesional të portreteve të cilat në imtësi shumë të vogla përputhen thuajse tërësisht me origjinalin. Shkathtësia e tij e lindur për artin dhe më vonë e ushtruar gjatë tërë jetës që të tërheq vija të proporcioneve të formës së fytyrës së njeriut, e renditin piktorin në mesin e artistëve të shquar në lëmin e portreteve.

Tek ai ka dominuar motivi i personaliteteve të njohura botërore dhe shqiptare të cilat i ka portretizuar me sukses. Me shumë guxim ka mbërritur pikat kulmore të portreteve të cilat, përmes mediave të ndryshme janë publikuar gjithandej nëpër botë.

Në mesin e tyre janë zakonisht fytyrat më të njohura të popullit shqiptar, politikanë, ushtarë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë… si: portreti i Nënës Terezës, Ismail Kadaresë, Aleksandër Moisiut, Ibrahim Rugovës, Skënderbeut, Bekim Fehmiut, Pjetër Bogdanit, Sigmund Freudit, Alexander Van Den Bellen, Prinz Franz Josef I, Ibrahim Kodrës, Klara Budes, Rita Orës, Dua Lipes, FALCO… miq të poetit, si dhe shumë njerëz që për piktorin kanë qenë interesantë.

Në vitin e kaluar ka punuar në një projekt social që e ka emërtuar “Vijat e Jetës”, ku ka pikturuar 35 njerëz të moshuar në shtëpinë e pleqve “Franz Hillinger” në qytetin e Linzit, e cila gjendet vetëm pak metra nga atelieja e piktorit. Diku në një përshkrim të këtij katalogu autori shkruante: „Unë kam punuar në projektin tim që ngërthen portretet me vetë tregimet interesante dhe shumë të ndjeshme“. Sigurisht, gjatë pikturimit autori ka përjetuar ngjarjet që pleqtë i kanë rrëfyer, kurse të gjitha ato është munduar t’i paraqesë sa më objektivisht në portretet e tyre. Në sytë dhe vijat e fytyrave të të portretuarve lexon tërë historinë e jetës së tyre. Një vlerë të veçantë ky projekt mori për faktin se puna e piktorit shqiptar ishte punë vullnetare, si rasti i vetëm i prezantimeve të tilla në tërë Austrinë. Kjo ndikoi që vetë kryetari i Bashkisë së qytetit, Mag. Klaus Luger të bënte hapjen e ekspozitës.

Portretet e personaliteteve kombëtare dhe austriake

Në grafikën e emërtuar “Skënderbeu në Krujë”, Gazmend Freitag paraqet heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin që mbrojti tërë Evropën për 25 vjet me radhë nga Perandoria Osmane. Një i huaj merr shumë informacione të përjetuara me emocione mbi trevat shqiptare duke i vëzhguar veprat e piktorit tonë.

Në mesin e shumë portreteve, njëri që bie në sy për punën me përkushtim është figura e kryetarit të Austrisë z. Aleksander Van der Bellen. Piktori zakonisht i portretizon fytyrat e rëndësishme të personaliteteve me peshë që janë miq edhe të popullit tonë. Siç dihet kryetari i Austrisë ishte për mbrojtjen e njohjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, kurse piktori i ynë në shenjë respekti dhe falënderimi e përjetëson atë në këtë portret.

Gazmend Freitag një vend të veçantë ia kushton figurës së presidentit të parë dhe historik të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova. Ai gjithashtu ka një vend meritor në portretet me laps, në të cilat autori ka pasqyruar karakterin miqësor dhe të paqes që kishte dr.Rugova. Artisti gjithashtu ka pikturuar edhe ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilin e patën publikuar shumë media të botës. Pra Gazmend Freitag rri gjithmonë në mbështetje të kulturës së tij shqiptare dhe shqiptarëve kudo ku janë. Punimi i tij i fundit është autoportreti. Për këtë punim, gazeta javore austriake „Tips“ shkruan një artikull me titull “Punë Artistike -Duplikati”. Duke treguar për prezantimin para publikut të punës së piktorit ajo citon fjalët e autorit: “Gjithçka që më inspiron, e përpunoj në art!“. Këtu autori idenë e tij të autoportretit e ka realizuar me një shkathtësi të konsiderueshme artistike.

Peizazhet e natyrës lidhen me vendlindjen dhe me vendin ku jeton autori

Ndër punimet artistike të Gazmend Freitag bëjnë pjesë edhe peizazhet tradicionale që përfshijnë gjithashtu elementet e biografisë së tij si dhe të vendlindjes. Ato lidhen gjithashtu me kujtesën nga fëmijëria që më vonë autori e hedh me ngjyra në pëlhurë apo me grafikë në letër. Një nga veprat e tij është edhe piktura „Ura e gurit në Prizren“. Piktura paraqet një peizazh nga ura mbi lumin Lumbardh në Prizren ku ai ka pikturuar me ngjyra mjaft të gjalla qytetin në të cilin ka kaluar një pjesë të jetës së tij.  Në peizazhin e dytë shihet një pjesë e qytetit të Linzit që qëndron gjithçka e qetë dhe e heshtur, natyrale dhe e afërt sikur një moment kur vështrojmë anën tjetër të Danubit. Këtu dominimi i ngjyrave të kaltër dhe të blertë i jep harmoni pikturës dhe uji rrjedh ngadalë, sikur vetë jeta.

Arti i Gazmendit është i lidhur me përvojat nga Kosova dhe diaspora, që tregon gjithashtu fatin e tij të dhembshëm ashtu si të shumë shqiptarëve që emigruam dhe lamë vendin tonë mbrapa. Gjithashtu biografia e tij është shembull i një njeriu të suksesshëm që përkundër vështirësive si ato gjuhësore, profesionale, familjare ka mundur të gjejë veten në mesin e ri. Fillimisht, nga viti 1990 në Gjermani, ndërsa nga 2004 në Linz të Austrisë, duke treguar shumë sukses në punën si artist. Por ajo që e veçon Gazmendin si njeri, është thjeshtësia. Ai është një njeri pa komplekse, pa formalitete, pa mendje të madhe. Ka sjellje korrekte dhe gjithmonë i gatshëm të përkrahë të tjerët.

Pikturimi i figurës së njeriut është mjeshtëria më e arritur e piktorit

Në mesin e pikturave në vaj, Gazmend Freitag ka realizuar shumë akte femre. Figura e njeriut e veçanërisht paraqitja e gruas është tematikë që e gjejmë të shprehur mbi pëlhurat e autorit. Ai ka shumë piktura në vaj të grave të ngjyrosura gjithashtu nudo. Kjo lidhet me studimet e tij në vitin 2013 që i bëri në Universitetin e Arteve të Linzit të kryesuar nga Prof. Mag. Annelies Oberdanner ku ai ka ndjekur drejtimin e artit për piktura nudo.

Autori figurën nudo të gruas e paraqet në frymën e anticitetit grek, ku gruaja shfaqet si perëndeshë e dashurisë.

Pikturat erotike të autorit janë të ngjyrosura me ngjyrat origjinale të lëkurës duke e dalluar secilën pjesë të saj sikur të ishte një fotografi origjinale, prandaj autorët e tjerë kanë të drejtë që z. Freitag e quajnë natyralist dhe realist në pikturë.

Disa kritika arti për artistin Gazmend Freitag

Pas publikimeve të veprave të autorit nëpër media të ndryshme, gazetat austriake  kanë publikuar vlerësime kritike për punën e Gazmendit. Ja disa nga to.

Konsulent z. Adolf Öhler, me rastin e hapjes së ekspozitës të Gazmend Freitag në Linz më 25.10.2019 thotë: “Portreti është një nga detyrat më të vështira të arteve pamore dhe kërkon që ngadalë të vëzhgojmë si dhe të kemi një teknikë të veçantë pune. Punimet e Gazmend Freitag i takojnë natyralizimit dhe realizmit d.m. th. formohet një pikturë reale që tërheq një formë abstrakte”.

Galeristi z.Hubert Thurnhofer shkruan: “Njerëzit janë në qendër të pikturave të Gazmend Freitag. Për disa kritikë të artit tema është e lashtë, për disa dashamirës të artit është përsëri moderne. E shikuar me objektivitet, tema është e përjetshme“.

Mes peizazheve dhe mitologjisë

Kuratorja Ursula Pfeiffer: “Gazmend Freitag di të shndërrojë me ndjenja peizazhet e vendlindjes apo motivet nga mitologjia në pikturë të vajit. Shumë nga veprat janë të mishëruara me momente të bukura, të cilat artisti i regjistron në stilin e modernizimit klasik në ndërthurjen midis impresionizmit dhe ekspresionizmit, si një formë e re bashkëkohore e realizmit. Ai është një nga emrat e mëdhenj në artin ndërkombëtar bashkëkohor“.

Njohës i figuracionit

Kritikja dhe historiania e artit nga Italia, Caterina Rondazzo: „Gazmend Freitag është një artist që i di mirë sekretet e figuracionit dhe i përdor ato për të krijuar vepra të mahnitshme. Ai i shprehë emocionet që vëzhgon në mjedisin e tij dhe hap dimensione të reja  që i paraqet në letër apo pëlhurë. Figuracioni nga piktori Gazmend Freitag duhet kuptuar si një prizë për talentin dhe krijimtarinë e tij. Sintaksa e tij kompozicionale ndjek rregullat e teorisë së artit dhe është plotësuar me konsiderata që theksojnë romantikun”.

Kommentar verfassen

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit Deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Google Foto

Du kommentierst mit Deinem Google-Konto. Abmelden /  Ändern )

Twitter-Bild

Du kommentierst mit Deinem Twitter-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit Deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s